Themelohet Garda për Mbrojtjen e Natyrës në Kosovë

Themelohet Garda për Mbrojtjen e Natyrës në Kosovë

Ministrja e Mjedisit e Kosovës, Fitore Pacolli, ka njoftuar për themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, një iniciativë e re që synon forcimin e mbrojtjes së mjedisit në vend.

Në Dita Botërore e Tokës, në një ceremoni solemne me pjesëmarrjen e Kryeministrit Albin Kurti dhe Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, si dhe përfaqësuesve të organizatave mjedisore, u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për krijimin e kësaj garde.

Garda për Mbrojtjen e Natyrës bashkon peshkatarë, bjeshkatarë, fotografë të jetës së egër, aktivistë dhe gardianë të rinj, duke krijuar një rrjet të angazhuar drejtpërdrejt në terren për mbrojtjen e mjedisit.

Kjo nismë vjen në një kohë kur sfidat si ndryshimet klimatike, degradimi i ekosistemeve dhe ndotja mbeten shqetësime serioze. Qëllimi i saj është të forcojë monitorimin në terren, të parandalojë dëmtimet dhe të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Aktualisht, Garda numëron rreth 100 anëtarë, prej të cilëve 30 janë fëmijë, të përfshirë aktivisht në kujdesin dhe mbrojtjen e natyrës.

Institucionet kanë bërë thirrje për qytetarët dhe aktivistët që t’i bashkohen kësaj nisme, duke kontribuar drejtpërdrejt në ruajtjen e mjedisit në Kosovë.


/Motilokal.com