Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka bërë të ditur se është duke u zhvilluar një studim i veçantë për praninë dhe përhapjen e Kastorit euroaziatik në territorin e vendit.
Ky hulumtim realizohet nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës në bashkëpunim me profesorin universitar Halil Ibrahimi dhe fotografin e botës së egër Arian Mavriqi. Projekti synon të vlerësojë nëse kjo specie, e cila për një kohë të gjatë nuk është raportuar në Kosovë, është rikthyer në habitatet vendore.
Sipas njoftimit, fotografitë e siguruara deri më tani përbëjnë një tregues fillestar për praninë e mundshme të kastorit, por kërkojnë verifikim të mëtejshëm përmes hulumtimeve të strukturuara në terren. Në fokus janë identifikimi i shenjave karakteristike, si prerjet e drunjve, ndërtimi i digave dhe gjurmë të tjera të aktivitetit të kësaj specieje.
Në kuadër të metodologjisë, studiuesit po përdorin kamera kurth dhe vëzhgime direkte, për të konfirmuar në mënyrë të saktë praninë e kastorit.
Ekspertët theksojnë se Kastori euroaziatik ka rëndësi të madhe ekologjike, pasi ndikon në formësimin e habitateve ujore dhe bregore, rregullimin e ujërave dhe rritjen e biodiversitetit.
Studimi synon të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një popullatë të qëndrueshme në Kosovë apo për lëvizje të individëve nga vendet përreth, ku janë zbatuar programe për rikthimin e kësaj specieje.
Hulumtimi pritet të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim ndërtimin e një baze të qëndrueshme të të dhënave dhe orientimin e politikave për mbrojtjen dhe menaxhimin e habitateve ujore në Kosovë.
/Motilokal.com
