Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, mori pjesë në Samitin e IV të Diasporës Shqiptare, në panelin që trajtoi rolin e diasporës në promovimin e turizmit. Ajo theksoi se Shqipëria po kalon një periudhë shumë të rëndësishme në zhvillimin turistik.
Sipas saj, vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i vizitorëve, por ajo që bie më shumë në sy është cilësia e përvojës që turistët marrin sot në Shqipëri.
Ajo u shpreh se vendi ynë nuk shihet më si një destinacion i panjohur. Vizitorët vijnë për të zbuluar autenticitetin, natyrën e paprekur, trashëgiminë kulturore dhe për të përjetuar një stil ndryshe pushimi, duke përfshirë edhe gastronominë.
Duke folur për promovimin, Çela e quajti këtë një moment të rëndësishëm për të treguar një histori të re të Shqipërisë si një destinacion autentik mesdhetar me potencial edhe global.
Ajo theksoi se Agjencia Kombëtare e Turizmit ka ndryshuar mënyrën e promovimit, duke kaluar nga format tradicionale informuese tek një qasje më moderne, që bazohet në rrëfim, përvojë dhe krijimin e një identiteti të veçantë për Shqipërinë.
Sot, sipas saj, fokusi kryesor është ndërtimi i këtij identiteti autentik, që e dallon Shqipërinë nga vendet e tjera të rajonit.
Promovimi bëhet përmes një kombinimi të aktiviteteve fizike dhe digjitale. Shqipëria merr pjesë në panaire të rëndësishme ndërkombëtare si ITB Berlin, Madrid dhe pritet edhe pjesëmarrja në Londër.
Ajo nënvizoi gjithashtu se zhvillimi i turizmit është ndihmuar shumë nga investimet në infrastrukturë, sidomos në bregdet, por edhe në veri dhe në pjesën qendrore të vendit.
Sipas Çelës, interesi i investitorëve të huaj është rritur dhe aktualisht janë të pranishme 17 marka ndërkombëtare. Për këtë arsye, është zgjedhur që këto zhvillime të promovohen në kohë reale përmes platformave digjitale, për të arritur jo vetëm turistët, por edhe investitorët potencialë.
Në fund, ajo u ndal te aplikacioni TEA, duke e cilësuar si një guidë digjitale të turizmit shqiptar, që përmbledh ofertën e vendit dhe promovon aktivitetet kulturore dhe sportive.
/Motilokal.com
