Termokos ka njoftuar se e ka mbyllur zyrtarisht sezonin ngrohës 2025/2026, pas 191 ditësh furnizim të pandërprerë për mbi 25 mijë konsumatorë në Prishtinë.
Sipas ndërmarrjes, vendimi është marrë në përputhje me rregulloren e ZRRE dhe duke u bazuar në parashikimet e motit për ditët në vijim.
Ky sezon vlerësohet ndër më të gjatët dhe më të suksesshmit, pasi ngrohja ka nisur tetë ditë më herët se zakonisht dhe është zhvilluar pa asnjë ndërprerje gjatë gjithë periudhës.
Gjatë sezonit janë prodhuar 338.902 MWh energji termike, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm për konsumatorët.
Nga kompania bëhet e ditur se përmirësimet në shërbim dhe faturimi sipas konsumit kanë bërë që mbi 60 për qind e qytetarëve të kenë fatura më të ulëta, ndërsa ankesat janë ulur rreth 70 për qind krahasuar me sezonin e kaluar.
Termokos ka bërë të ditur se gjatë verës do të vazhdojë me punët për mirëmbajtje dhe projekte të reja, me synim përgatitjen për sezonin e ardhshëm dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes.
/Motilokal.com
