Zgjoheni me dhimbje shpine? Ja çfarë po e shkakton në mëngjes

Zgjoheni me dhimbje shpine? Ja çfarë po e shkakton në mëngjes

Shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së shpinës në mëngjes lidhen me mënyrën si flemë dhe me disa faktorë të përditshëm. Pozicioni i gabuar gjatë gjumit, qëndrimi i gjatë pa lëvizur, si dhe dysheku ose jastëku i papërshtatshëm mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shtyllën kurrizore. Në disa raste, dhimbja lidhet edhe me gjendje shëndetësore ose me shtatzëninë.

Shumica e njerëzve përjetojnë të paktën një herë në jetë dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës. Tek disa, kjo bëhet e vazhdueshme dhe mund të shfaqet sidomos në mëngjes, duke ndikuar në energjinë dhe funksionimin gjatë ditës.

Dhimbja e shpinës dhe gjumi shpesh ndikojnë njëra-tjetrën. Gjumi i dobët mund ta shtojë dhimbjen, ndërsa dhimbja vetë e vështirëson gjumin, duke krijuar një rreth të vazhdueshëm shqetësues.

Katër shkaqet kryesore të dhimbjes së mëngjesit janë:

Pozicioni i gabuar gjatë gjumit, kur shtylla kurrizore nuk qëndron drejt gjatë natës. Fjetja në anë me gjunjë pak të përkulur ose në shpinë konsiderohet më e përshtatshme, ndërsa fjetja në bark shpesh shkakton probleme.

Qëndrimi i gjatë pa lëvizje, sepse trupi ngurtësohet gjatë natës dhe në mëngjes dhimbja bëhet më e theksuar kur fillojmë të lëvizim.

Dysheku ose jastëku i papërshtatshëm, që nuk e mbështet si duhet trupin dhe qafën. Një dyshek mesatarisht i fortë zakonisht konsiderohet më i dobishëm për shpinën.

Gjendjet shëndetësore si hernia diskale, artriti, fibromialgjia, ishiatiku ose edhe shtatzënia, të cilat mund të rrisin ndjeshmërinë dhe dhimbjen.

Për të lehtësuar gjendjen ndihmojnë ndryshimet në stilin e jetesës, aktiviteti fizik i rregullt dhe përdorimi i jastëkëve mbështetës sipas pozicionit të gjumit. Po ashtu, rekomandohet të mos ngrihesh menjëherë nga shtrati, por të bëhen shtrirje të lehta fillimisht.

Nëse dhimbja zgjat më shumë se dy deri në tre muaj ose përkeqësohet, është e rëndësishme të kërkohet vlerësim mjekësor për të përcaktuar shkakun dhe trajtimin e duhur.

/Motilokal.com