Fushata “Sot beton, nesër etje” paralajmëron për krizë uji në Kosovë

Fushata “Sot beton, nesër etje” paralajmëron për krizë uji në Kosovë

Në zemër të Prishtinës janë vendosur dy billborde me mesazhe të forta ndërgjegjësuese: “Sot beton. Nesër etje” dhe “Kur ndalon lumin, ndalon jetën”. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë, ato synojnë të zgjojnë vëmendjen e qytetarëve për gjendjen alarmante të lumenjve në Kosovë.

Sipas hulumtimit të organizatës mjedisore Ecopana, mbi 142 pengesa artificiale po ndërpresin rrjedhën e gjashtë lumenjve kryesorë në vend. Një pjesë e madhe e tyre janë tashmë të braktisura dhe jashtë funksionit, por vazhdojnë të dëmtojnë rëndë ekosistemet ujore.

Kjo fushatë në kryeqytet vjen si një thirrje e qartë për veprim. Synimi është i thjeshtë: rikthimi i rrjedhës natyrore të lumenjve dhe mbrojtja e jetës që varet prej tyre.

Krenare Salihu nga organizata Ecopana, në një prononcim për Motilokal.com, tha se kampanja synon të rrisë vetëdijen e qytetarëve për realitetin e lumenjve në vend.

Ajo theksoi se kjo nismë është e lidhur me përditshmërinë dhe përfshin edhe një dimension simbolik me inteligjencën artificiale. “Inteligjenca artificiale po e ndryshon botën, po na lehtëson jetën dhe po na kursen kohë. Por ka diçka që nuk po e rregullon: lumenjtë tanë”, u shpreh Salihu.

Sipas saj, në pellgun e Drinit të Bardhë, rrjedha e lirë e lumenjve po ndërpritet çdo ditë nga diga, pengesa dhe struktura betoni, të cilat po e copëzojnë lumin dhe po dëmtojnë ekosistemin. “Sa më shumë barriera sot, aq më shumë thatësirë nesër”, tha ajo, duke shtuar se lumi nuk është vetëm ujë, por burim jete dhe siguri për të ardhmen.

Salihu nënvizoi se asnjë teknologji nuk mund të rikthejë një lumë të bllokuar pa veprime konkrete. Ajo bëri të ditur se organizata ka nisur identifikimin e barrierave në pellgun e Drinit të Bardhë dhe do ta zgjerojë këtë proces edhe në pellgjet e tjera të Kosovës.

“Disa gjëra nuk rregullohen me inteligjencë artificiale. Rregullohen vetëm me vendime të drejta dhe kujdes ndaj natyrës”, përfundoi ajo.

/Motilokal.com