Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se Komuna që e udhëheq po planifikon rikthimin e teleferikut në Gërmi, një projekt që synon të ringjallë një nga atraksionet e dikurshme të qytetit dhe të krijojë mundësi të reja për rekreacion.
Sipas tij, rikthimi i ski-liftit nuk shihet vetëm si investim infrastrukturor, por si një kthim i një përvoje që shumë qytetarë e mbajnë mend, si dhe një hap drejt krijimit të kushteve për brezat e rinj që të shfrytëzojnë më shumë këtë hapësirë.
Ai ka theksuar se Gërmia ka qenë gjithmonë më shumë se një park, duke e cilësuar si “frymëmarrjen e qytetit” dhe një potencial të madh për zhvillimin e sporteve dimërore dhe aktiviteteve të tjera rekreative.
Në një takim të zgjeruar me përfaqësues të komunitetit sportiv, organizata rekreative dhe institucione relevante, janë diskutuar hapat konkretë për realizimin e projektit, i cili tashmë po hyn në një fazë më të qartë zhvillimi.
Duke pasur parasysh se Gërmia është zonë e mbrojtur, Rama ka bërë të ditur se çdo veprim do të ndërmerret në përputhje me standardet mjedisore dhe kornizën ligjore në fuqi.
Ai ka shtuar se në bashkëpunim me institucionet qendrore po punohet për përgatitjen e bazës ligjore dhe teknike, me qëllim që projekti të jetë i realizueshëm.
Sipas tij, një zhvillim i madh për këtë zonë është në horizont.
/Motilokal.com
