Me ardhjen e pranverës, bahçet nisin të marrin jetë dhe puna rreth pemëve fillon. Një nga punët që bëhet më shpesh në këtë kohë është gëlqerosja e tyre.
Nuk është vetëm një veprim pune. Ka diçka simbolike aty. Pemët vishen me të bardhë, si të përgatiten për diellin që po vjen. Dhe kjo “veshje” nuk është vetëm për sy. Gëlqerosja i mbron nga sëmundjet, bakteret dhe dëmtuesit që mbesin pas dimrit. Është një mburojë e thjeshtë, por shumë e vlefshme.
Ngjyra e bardhë bën punën e saj. Ajo kthen mbrapsht rrezet e forta të diellit dhe nuk lejon që lëvorja të nxehet tepër. Ndryshe nga pemët e pa trajtuara që e thithin nxehtësinë, këto që janë gëlqerosur qëndrojnë më të mbrojtura dhe më të qëndrueshme. Edhe lulëzimi i tyre shpesh vonohet pak, gjë që i shpëton nga ngricat e papritura të pranverës.
Përveç kësaj, gëlqerosja ndihmon edhe kundër insekteve dhe parazitëve që strehohen në lëkurën e pemës gjatë dimrit. Mban larg edhe brejtësit apo kafshët që mund t’i dëmtojnë. Është një kujdes i vogël që sjell shumë përfitim.
Te ne, kjo nuk është thjesht praktikë bujqësore. Është një shenjë se stina ka ndryshuar. Një zakon që është përcjellë brez pas brezi dhe që ende vazhdon të jetojë në shumë oborre.
Për ata që duan ta bëjnë vetë, përgatitja është e thjeshtë. Merren 5 kilogramë gëlqere e shuar, 500 gramë kripë dhe 250 gramë squfur për tretje. Këto përzihen me rreth 15 deri në 18 litra ujë, derisa të krijohet një masë e trashë, e përshtatshme për ta vendosur me furçë ose rul.
Koha më e mirë është para reshjeve të borës dhe në fillim të pranverës. Pikërisht atëherë kur natyra zgjohet dhe pemët kanë më shumë nevojë për mbrojtje.
Në fund, mbetet një pamje që e njeh çdo sy: trungje të bardha, rresht pas rreshti, si një shenjë e qartë se pranvera ka ardhur dhe puna ka nisur.
/Motilokal.com
