Parku Kombëtar "Sharri" bëhet anëtari më i ri i EUROPARC

Parku Kombëtar "Sharri" bëhet anëtari më i ri i EUROPARC

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar se Parku Kombëtar “Sharri” është pranuar si anëtari më i ri i Federatës së Parqeve Evropiane EUROPARC. Ky konsiderohet një hap i rëndësishëm, pasi “Sharri” bëhet parku i parë nga Kosova që i bashkohet këtij rrjeti evropian.

Sipas njoftimit, përfshirja e parkut në EUROPARC vjen si rezultat i vlerave të tij të veçanta natyrore, biodiversitetit të pasur dhe angazhimit për zhvillim të qëndrueshëm. Federata ka theksuar se Parku Kombëtar “Sharri” përfaqëson një shtesë të rëndësishme në rrjetin evropian të zonave të mbrojtura.

Në përshkrimin e bërë nga EUROPARC, “Sharri” cilësohet si një zonë me rëndësi të lartë për biodiversitetin malor dhe për ruajtjen e specieve ikonike. Strategjia e parkut fokusohet në mbrojtjen e habitateve natyrore, përkrahjen e jetesës tradicionale në komunitetet përreth, si dhe ofrimin e mundësive për edukim, kërkim shkencor dhe rekreacion.

Gjithashtu, janë veçuar edhe disa nga arritjet kryesore të viteve të fundit, si zbulimi i specieve të reja endemike dhe zhvillimi i projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar. Anëtarësimi në EUROPARC shihet si një forcim i rolit të parkut në përpjekjet evropiane për ruajtjen e natyrës.

Në faqen zyrtare të federatës theksohet edhe roli i parkut në mbështetjen e blegtorisë tradicionale në Malet e Sharrit, bashkëpunimin me fermerët, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e jetës së egër përmes zonave të mbrojtura dhe programeve të edukimit mjedisor.


/Motilokal.com