Në orët e para të mëngjesit, në portin e Sarandës ka mbërritur anija turistike “Sapphire Princess”, me 2,776 pasagjerë në bord, nga vende të ndryshme të botës.
Drejtori i Portit të Sarandës, Admir Malaj, tha se kjo është hera e dytë që kjo anije ndalon në qytet, pas vizitës së saj më 17 mars, kur solli rreth 2,600 turistë.
Sipas tij, kjo ndalesë pritet të sjellë më shumë lëvizje dhe gjallëri në Sarandë, duke ndikuar pozitivisht në turizmin lokal.
Shumica e vizitorëve janë nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Spanja, por ka edhe turistë nga vende të tjera të Evropës dhe më gjerë.
Pas mbërritjes, turistët do të ndahen në grupe dhe do të vizitojnë disa nga pikat më të njohura turistike pranë Sarandës, përfshirë Parku Kombëtar i Butrintit, Kalaja e Lëkurësit, si dhe qytetin e Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë.
Saranda pritet që edhe këtë vit të ketë një numër të lartë anijesh turistike, duke u kthyer gjithnjë e më shumë në një ndalesë të rëndësishme për turistët gjatë gjithë vitit.
E vendosur në jug të Shqipërisë, Saranda mbetet një nga destinacionet më të preferuara, falë ujërave të pastra, historisë dhe klimës së butë mesdhetare. Përveç atraksioneve historike, zona ofron edhe plazhe të njohura si Ksamil, të njohura për rërën e bardhë dhe detin e kristaltë.
/Motilokal.com
