Një pjesë e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë është shembur, duke shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullimin për banorët e zonës.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë, ndërsa shkaqet e sakta të shembjes ende nuk janë bërë të ditura.
Lidhur me situatën ka reaguar Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina, e cila njofton se si pasojë e rrëshqitjes së dheut është dëmtuar edhe rrjeti i ujësjellësit.
Për shkak të dëmtimit, furnizimi me ujë është ndërprerë përkohësisht në disa rrugë dhe pritet të rikthehet pas sanimit të gypit.
Sipas njoftimit, pa ujë kanë mbetur rrugët: “Mehmet Shpendi”, “Bislim Islami”, “Don Stjefan Kurti”, “Kiri”, “Agim Prodani”, “Ymer Bytyqi” dhe “Visar Thaqi”.
Nga kompania u bëhet thirrje qytetarëve për mirëkuptim deri në rikthimin e gjendjes në normalitet.
/Motilokal.com
