Sonte, gjatë natës mes të shtunës 28 mars dhe të dielës 29 mars, në orën 02:00, akrepat e orës do të lëvizin 60 minuta përpara, duke shënuar fillimin e orës verore. Kështu, ora do të kalojë drejtpërdrejt në 03:00, ndërsa pajisjet elektronike do të përditësohen automatikisht.
Ora verore do të zgjasë deri më 25 tetor, të dielën e fundit të muajit, kur do ta kthejmë orën një orë pas dhe do të rikthehemi në orën dimërore. Ky ndryshim ndodh njëkohësisht në të gjitha shtetet evropiane, pasi është i përcaktuar me ligj që nga viti 1981. Rregullorja evropiane e standardizon këtë praktikë, duke vendosur që në fund të marsit akrepat të lëvizin 60 minuta përpara dhe në fund të tetorit të kthehen një orë pas.
Tradita e ndryshimit të orës ka rrënjë të thella historike. Benjamin Franklin, që në shekullin e XVIII, sugjeroi këtë metodë si një mënyrë për të kursyer energjinë. Ideja e tij u zhvillua më tej në vitin 1907 nga britaniku William Willett, i cili e prezantoi atë në Dhomën e Komunave, duke çuar në krijimin e “British Summer Time”.
Shumë vende ndoqën këtë praktikë, veçanërisht gjatë periudhave të luftës, kur kursimi i energjisë ishte një domosdoshmëri. Megjithatë, vendosja përfundimtare e kësaj mase për të gjitha shtetet ndodhi në vitin 1966, në një kohë kur bota po përballej me krizën e energjisë.
Një natë më e shkurtër, por ditë më të gjata përpara.
/Motilokal.com
