Inspeksioni Komunal dhe Policia e Kryeqytetit kanë shtuar angazhimin në terren për të ndalur hedhjen ilegale të mbeturinave në hapësirat publike të Prishtinës. Autoritetet bëjnë të ditur se po veprohet me të gjitha kapacitetet për identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve.
Sipas njoftimit, masat ndëshkuese përfshijnë gjoba si dhe konfiskim të automjeteve që përdoren për transportimin dhe hedhjen e paligjshme të mbeturinave.
Qytetarëve u bëhet thirrje që mbeturinat voluminoze t’i hedhin vetëm në hapësirat e caktuara, konkretisht në rrugën “Qëndresa”, e përcaktuar si lokacion për depozitimin e tyre.
Institucionet theksojnë se bashkëpunimi i qytetarëve mbetet kyç në këtë proces. Të gjithë ata që hasin raste të hedhjes ilegale të mbeturinave, përfshirë materiale ndërtimore, mobilje, goma apo mbetje të tjera voluminoze, inkurajohen të njoftojnë Policinë ose Inspekcionin Komunal në numrin 038 220 985.
Fushata synon të rrisë kontrollin dhe të mbrojë hapësirat publike nga ndotja, duke vendosur rend dhe përgjegjësi në menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
/Motilokal.com
