Fitore Pacolli nënshkruan vendim për rregull dhe ligjshmëri për gurëthyesit në Kosovë

Fitore Pacolli nënshkruan vendim për rregull dhe ligjshmëri për gurëthyesit në Kosovë

Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka ndërmarrë një hap të menjëhershëm për vendosjen e rregullit në sektorin e gurëthyesve në Kosovë.

Ajo ka nënshkruar një vendim urgjent, i cili synon të ndalë shfrytëzimin e pakontrolluar dhe shpeshherë përtej lejeve që, sipas saj, ka dëmtuar për vite me radhë malet dhe peizazhet natyrore të vendit.

Sipas vendimit, të gjithë operatorët e gurëthyesve obligohen që menjëherë t’i nënshtrohen një procesi të plotë verifikimi për pajtueshmërinë ligjore, teknike dhe mjedisore.

Ministrja ka bërë të ditur se operatorët kanë afat prej 15 ditësh për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar në ministri. Ky afat konsiderohet i panegociueshëm dhe mosrespektimi i tij do të çojë në humbjen e të drejtës për shqyrtim administrativ, si dhe në nisjen e inspektimeve të jashtëzakonshme në terren.

Pacolli ka theksuar se pasuria natyrore e Kosovës është e përbashkët dhe çdo shfrytëzim i saj duhet të bëhet në përputhje të plotë me ligjin.


/Motilokal.com