Çmimet e gazit natyror në Bashkimin Evropian kanë shënuar rritje të fortë, duke arritur nivelin më të lartë që nga janari i vitit 2023. Kjo vjen pas tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme dhe sulmeve të Iranit ndaj infrastrukturës së gazit të lëngshëm në Katar.
Kontratat e së ardhmes në tregun evropian u rritën mbi 25 për qind, duke shkuar në rreth 78 dollarë për megavat-orë, niveli më i lartë në më shumë se tre vite.
Sulmet kanë goditur qytetin industrial Ras Laffan në Katar, ku ndodhet një nga qendrat më të mëdha në botë për eksportin e LNG-së.
Në të njëjtën kohë, Emiratet e Bashkuara Arabe pezulluan përkohësisht operacionet në objektet e gazit në Habshan, pasi u interceptuan raketa në atë zonë. Ndërkohë, raportimet flasin edhe për sulme të rënda me raketa ndaj aseteve të LNG-së në Bahrein.
Situata është rënduar më tej pasi një pjesë e madhe e fluksit global të LNG-së kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila mbetet kryesisht e mbyllur që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt.
/Motilokal.com
