Dëmet nga vërshimet kalojnë 5 milionë euro, AKK kërkon ndërhyrje urgjente të qeverisë

Dëmet nga vërshimet kalojnë 5 milionë euro, AKK kërkon ndërhyrje urgjente të qeverisë

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se dëmet nga vërshimet e fundit në komunat e Kosovës kanë kaluar shumën prej 5 milionë euro, bazuar në vlerësimet fillestare të komunave të prekura.

Sipas AKK-së, këto dëme kanë goditur rëndë ekonomitë familjare, bizneset lokale dhe infrastrukturën publike, duke krijuar vështirësi serioze në funksionimin normal të jetës në këto zona.

Komunat më të prekura, sipas vlerës së dëmeve, janë:

  • Gjakova me rreth 2.7 milionë euro

  • Drenasi me mbi 1.5 milionë euro

  • Peja, Rahoveci dhe Mitrovica me nga 800 mijë euro secila

  • Klina me mbi 650 mijë euro

  • Malisheva me rreth 540 mijë euro

Nga AKK është bërë e ditur se vlerësimet nuk janë ende përfundimtare për disa komuna të tjera, çka lë të kuptohet se shuma totale mund të rritet.

Në këtë situatë, AKK i ka bërë thirrje nivelit qendror për reagim urgjent dhe të koordinuar institucional, duke kërkuar alokim të menjëhershëm të mjeteve financiare, aktivizim të fondeve emergjente dhe mbështetje konkrete për sanimin e dëmeve.

Po ashtu, është kërkuar që të rritet angazhimi institucional për parandalimin e vërshimeve në të ardhmen.

Sipas AKK-së, komunat nuk kanë kapacitete ta përballojnë të vetme këtë barrë financiare dhe pa ndërhyrje të shpejtë nga niveli qendror, rrezikohet realizimi i projekteve dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët.

/Motilokal.com