Rritet interesi për natyrën, 400 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura

Rritet interesi për natyrën, 400 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura

Zonat e mbrojtura në Shqipëri po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë që kërkojnë të shijojnë natyrën dhe ekoturizmin. Ecjet në shtigje malore, vëzhgimi i shpendëve dhe pamjet e lagunave apo liqeneve janë disa nga përvojat që po i bëjnë këto vende gjithnjë e më të kërkuara nga turistët.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj, bëri të ditur se vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti mbi 400 mijë vizitorë kanë eksploruar zonat e mbrojtura në vend.

Sipas tij, kjo është rreth 42 mijë vizitorë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një tregues i qartë se interesi për turizmin natyror dhe aktivitetet në natyrë po rritet vazhdimisht.

“Që nga malet dhe parqet kombëtare e natyrore, deri te lagunat dhe peizazhet unike, zonat e mbrojtura po bëhen gjithnjë e më të preferuara si për vizitorët vendas ashtu edhe për ata të huaj”, u shpreh Jaupaj.

Ai shtoi se rritja e numrit të vizitorëve sjell edhe përgjegjësi më të madhe për institucionet përgjegjëse, veçanërisht për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe administratat e zonave të mbrojtura, për të siguruar menaxhim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e pasurive natyrore.

Sipas tij, zhvillimi i ekoturizmit mbetet një nga drejtimet kryesore për të promovuar turizmin e qëndrueshëm dhe për të vënë në vlerë pasuritë natyrore që ofron Shqipëria.

/Motilokal.com