Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, mori pjesë sot në punëtorinë e organizuar në kuadër të Projektit IRIS – Përmirësimi dhe Rehabilitimi i Sistemeve të Ujitjes. Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Bujqësisë dhe ka për qëllim rritjen e efikasitetit të ujitjes dhe produktivitetit në sektorin bujqësor.
Gjatë punëtorisë u diskutua për rëndësinë e modernizimit të sistemeve të ujitjes, të cilat konsiderohen thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë. Ministri Muja nënvizoi se investimet në infrastrukturën e ujitjes janë ndër prioritetet kryesore të ministrisë, pasi ndikojnë direkt në rritjen e prodhimit bujqësor, menaxhimin më të mirë të burimeve ujore dhe konkurrueshmërinë e sektorit.
“Përmirësimi dhe modernizimi i sistemeve të ujitjes do të jetë një nga prioritetet kryesore gjatë qeverisjes sime. Këto investime i japin mundësi fermerëve të rrisin prodhimin vendor, të përmirësojnë rendimentet dhe të përfitojnë më shumë nga aktiviteti i tyre bujqësor”, tha Ministri Muja.
Projekti IRIS fokusohet në skemën e ujitjes Radoniqi–Dukagjini, duke kontribuar në funksionalitetin dhe efikasitetin e këtij sistemi të rëndësishëm. Pritet që mbi 7,000 fermerë të përfitojnë nga ky projekt, duke pasur qasje më të mirë në ujitje, rendimente më të larta dhe zhvillim më të qëndrueshëm të aktivitetit bujqësor.
Ministri falënderoi veçanërisht Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen financiare dhe teknike të projektit. Sipas të dhënave të prezantuara, deri në fund të dhjetorit më shumë se 11,000 hektarë tokë bujqësore janë pajisur me sisteme të përmirësuara të ujitjes, duke tejkaluar objektivin e paraparë.
/Motilokal.com
