Shqipëria drejt standardeve të BE-së, prezantohet plani për shkarkimet industriale

Shqipëria drejt standardeve të BE-së, prezantohet plani për shkarkimet industriale

Ministria e Mjedisit zhvilloi një takim konsultativ për Direktivën e Shkarkimeve Industriale, ku u prezantua Plani Specifik i Zbatimit për sektorin industrial, së bashku me partnerët ndërkombëtarë. Ky hap vjen në kuadër të reformave të Kapitullit 27 në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë takimit u theksua se qëllimi i këtij procesi është orientimi i industrisë drejt një prodhimi më të pastër dhe rritja e standardeve mjedisore, përmes përdorimit të Teknikave më të Mira të Disponueshme (BAT), në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, theksoi rëndësinë e konsultimit me grupet e interesit. Ai u shpreh se përmirësimet ligjore në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike po i nënshtrohen një procesi të gjerë komunikimi, me qëllim përfshirjen e industrisë dhe partnerëve ndërkombëtarë në hartimin e politikave mjedisore.

Jaupaj vlerësoi gjithashtu mbështetjen e qeverisë suedeze, e cila përmes asistencës teknike po ndihmon në avancimin e reformave mjedisore dhe forcimin e kapaciteteve për zbatimin e standardeve europiane në Shqipëri.

“Me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara dhe mbështetjen e partnerëve tanë, jemi të sigurt se do të avancojmë më tej në reformat mjedisore dhe në rrugën europiane të Shqipërisë”, u shpreh ministri.

Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane dhe forcimin e politikave për mbrojtjen e mjedisit, si edhe përballimin e sfidave që lidhen me ndryshimet klimatike.

/Motilokal.com