Fillon projekti për matjet gjeodezike të profileve të lumenjve në Kosovë

Fillon projekti për matjet gjeodezike të profileve të lumenjve në Kosovë

Ka nisur zbatimi i projektit “Matjet Gjeodezike të Profileve të Tërthorta të Lumenjve dhe krijimi i pasaportave të stacioneve të monitorimit meteorologjik dhe hidrometrik” të rrjetit shtetëror hidrometeorologjik në Kosovë. Projekti po realizohet me përkrahjen e Programit për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K), Faza 2.

Aktivitetet po zbatohen nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) dhe ekspertët e angazhuar nga programi IWRM-K, ndërsa matjet po kryhen nga kompania GEO-S sh.p.k.

Në kuadër të projektit do të realizohen matje gjeodezike në të gjitha profilet hidrometrike, gjithsej 34, si dhe matje me dron dhe matje të rrjedhës së lumenjve. Matjet e para tashmë kanë nisur në lumin Morava e Binçës në komunën e Vitisë.

Programi për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K), Faza 2, mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Qeveria e Kosovës, ndërsa zbatohet nga Skat Consulting Ltd në konsorcium me Agjencinë Austriake të Mjedisit.


/Motilokal.com