Numri i turistëve të huaj që vizituan Kosovën ka shënuar rënie në janar të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në janar 2026 janë regjistruar 39 mijë e 603 vizitorë të huaj në hotelet e Kosovës, që paraqet rënie prej 4.4 për qind krahasuar me janarin e vitit 2025, kur numri ishte 41 mijë e 47.
Në total, gjatë janarit 2026 në hotelet e vendit kanë qëndruar 66 mijë e 980 vizitorë. Prej tyre 27 mijë e 377 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 39 mijë e 603 të huaj. Krahasuar me janarin e vitit 2025, kur numri i përgjithshëm ishte 69 mijë e 227, kjo përbën një rënie prej 3.2 për qind.
Sa i përket net-qëndrimeve, gjatë janarit 2026 janë regjistruar gjithsej 126 mijë e 838 net-qëndrime. Nga ky numër, 71 mijë e 197 ose 56.1 për qind janë realizuar nga vizitorët e huaj, ndërsa 55 mijë e 641 ose 43,8 për qind nga vizitorët vendorë.
Numrin më të madh të vizitorëve vendorë e ka pasur Rajoni i Pejës, me 10 mijë e 868 vizitorë dhe gjithsej 32 mijë e 372 net-qëndrime.
Shumica e turistëve të huaj që kanë qëndruar në hotelet e Kosovës kanë ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.
/Motilokal.com
