28 të shëruar dhe një rast me COVID-19 në Kosovë

28 të shëruar dhe një rast me COVID-19 në Kosovë

Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), në një njoftim për media ka konfirmuar se janë shëruar 28 pacientë me koronavirus dhe është regjistruar një rast, duke çuar në 861 numrin e të infektuarve në Kosovë.

“Sot më 07 maj 2020 janë testuar gjithsej 229 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren”, thuhet në komunikatë.

Sipas IKSHPK-së me SARS-CoV-2, është diagnostikuar 1 rast. Rasti pozitiv është rast kontakti nga: komuna e Kamenicës 1 rast (sipas vendbanimit: 1 rast Poliçkë).

Lajmi i mirë është se sot më 07 maj 2020, janë shëruar 28 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 561 raste.

“Më datë 07 maj 2020, nga Klinika Infektive është raportuar edhe një rast i vdekjes, e gjinisë femër me moshë 63 vjeç nga Plavë-Dragash, e konfirmuar me COVID-19 me datë 24.04.2020. Pacientja është transferuar në Klinikën Infektive nga Spitali i përgjithshëm i Prizrenit në gjendje të rënduar me 26 prill 2020 me Inflitrim pulmonar bilateral dhe sëmundje shoqëruese: Insuficiencë renale terminale, Hemodializë të rregullt, Diabetes melitus”, njofton IKSHPK.

Më tej në kumtesë thuhet se nga data 08 shkurt deri më 07 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 9.314 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 861 raste, me 27 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 07 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 3.874.350 raste të COVID-19 dhe 267.921 raste të vdekjes./Motilokal.com