Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovë (IKSHPK), përmes një njoftimi u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që edhe përkundër se sot është dita e parë e lehtësimit të masave pas pandemisë COVID-19, të kenë kujdes të shtuar e të mos vazhdojnë fluksin e shtuar nëpër qytete kudo nëpër Kosovë.
“Sot vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandime të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.
IKSHPK kërkon që të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.
“Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, thuhet në komunikatë.
“Ju lutemi të respektoni masat e shpallura të parandalimit nga instituti kombëtar dhe ministria e shëndetësisë!
Ruajeni shëndetin tuaj! Pakujdesia kushton me jetë!
Akoma nuk ka kaluar rreziku, andaj
Qëndroni në shtëpi, kjo ua shpëton jetën!
Mbani distancë fizike për së paku 2 metra!
Na ndihmoni pak që të ju ndihmojmë shumë!”/Motilokal.com
