Shiu dhe bora “zaptojnë” Shqipërinë, shënohet viktima e parë

Shiu dhe bora “zaptojnë” Shqipërinë, shënohet viktima e parë

Prej tre ditësh, shumë zona të Shqipërisë vijojnë të jenë të përmbytura si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe vështirësi serioze për banorët.

Këtë të enjte është shënuar edhe viktima e parë nga moti i keq. Një 54 vjeçar u gjet pa shenja jete në një kanal kullues pranë ish repartit ushtarak në Durrës. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Astrit Hysenaj është marrë nga rrjedha e ujit teksa po kthehej në shtëpi. Ai ishte raportuar i zhdukur një ditë më parë nga familjarët dhe dyshohet se ka humbur jetën në krye të detyrës, pasi punonte pranë ndërmarrjes komunale në zonën e plazhit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër. Në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik të menjëhershëm.

Në disa zona të Elbasanit dhe në veri të vendit, reshjet e shiut janë shndërruar në dëborë, duke krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa akse.

Në Vlorë, niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra. Janë evakuuar 13 familje në zonën e Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Në Shkodër, në fshatin Obot ka rreth 60 centimetra ujë mbi rrugën kryesore dhe qarkullimi lejohet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Në Vaun e Dejës, 15 banesa janë të rrethuara nga uji, ndërsa janë shtuar sipërfaqet e tokave bujqësore të përmbytura. Në Fushë Arrëz janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe dëmtime në rrugë.

Në Lezhë, rreth 3 mijë hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Dy familje janë evakuuar, ndërsa rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji në disa njësi administrative. Janë raportuar edhe rrëshqitje dherash dhe po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Droje.

Durrësi mbetet një nga zonat më të prekura. Po punohet për largimin e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, kryesisht në zonën e ish kënetës, Shkozetit, Nishtullës dhe pranë burgut. Rreth 250 persona janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura dhe 55 të tjerë në ambientet e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm ndodhen në kuota maksimale dhe disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara.

Në Krujë, pas çarjes së argjinaturës së lumit Droje, uji ka vërshuar në fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska, ku janë prekur rreth 50 familje. Edhe në Shijak ka prani uji në disa banesa, veçanërisht në Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.

Në Gjirokastër janë shënuar rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë Gjirokastër, ndërsa në disa zona po punohet për rikthimin e energjisë elektrike. Nivele të larta të lumenjve janë shënuar edhe në Memaliaj dhe Përmet.

Në Korçë, disa rrugë në Devoll janë të pakalueshme dhe ka bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas. Në Maliq, Berat dhe Fier janë raportuar sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore nën ujë, si dhe banesa të përfshira nga përmbytjet.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e rrezikuara dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave emergjente.

/Motilokal.com