Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje të shumta në qytetin e Durrësit, duke vënë në vështirësi dhjetëra familje dhe infrastrukturën urbane. Sipas të dhënave paraprake, rreth 100 banesa janë përmbytur ose të rrethuara nga uji.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi se në terren janë angazhuar 23 forca, 8 mjete të Emergjencave Civile dhe 7 motopompa, që po punojnë për largimin e ujit dhe menaxhimin e situatës.
Si pasojë e përmbytjeve, deri tani janë evakuuar 60 banorë, të cilët janë strehuar në shtëpinë e pushimit të Ushtrisë, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e zonave më problematike.
Zona e Velierës së Durrësit, një projekt publik që ka kushtuar mbi 800 milionë lekë, ka mbetur gjithashtu e përmbytur. Pamjet nga terreni tregojnë se investimi është kthyer në një tjetër shembull të problematikave infrastrukturore pas reshjeve intensive.
/Motilokal.com
