Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, duke bërë apel për kujdes dhe respektim të masave të sigurisë.
Sipas Drejtorisë, ekipet e Kryeqytetit kanë intervenuar deri tani në mbi 40 raste, në bashkëpunim të plotë me të gjitha strukturat relevante komunale dhe shërbimet emergjente. Situata po monitorohet vazhdimisht në terren.
Autoritetet paralajmërojnë se në orët në vijim, nëse reshjet vazhdojnë me të njëjtin intensitet, mund të ketë vështirësi shtesë, sidomos në zonat rurale të Prishtinës.
Në këtë kontekst, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet në zona të përmbytura dhe të mos kalojnë përmes ujërave të rrjedhshëm. Po ashtu, këshillohet që automjetet të mos parkohen pranë përrenjve, lumenjve dhe nënkalimeve, si dhe të sigurohen bodrumet dhe hapësirat e ulëta të objekteve.
Qytetarët ftohen të raportojnë çdo situatë emergjente në numrat zyrtarë të emergjencës: 0800 122 33 dhe 0800 122 44.
Nga Drejtoria theksojnë se të gjitha aktivitetet po koordinohen në mënyrë të vazhdueshme dhe falënderojnë qytetarët për bashkëpunimin, duke kërkuar kujdes të shtuar deri në stabilizimin e situatës.
/Motilokal.com
