Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë vërshime në Drenas

Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë vërshime në Drenas

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, shumë segmente rrugore në Komunën e Drenas janë vërshuar dhe kërkojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit të automjeteve dhe lëvizjes së këmbësorëve.

Sipas informacioneve nga terreni, rruga Drenas–Grabovc, zona e Çiktovës së Vjetër, Qendra zejtare në Drenas si dhe qendra e Komoranit janë prekur më së shumti nga vërshimet e shkaktuara nga sasia e madhe e reshjeve. Qytetarët raportojnë edhe për zona të tjera në Komunën e Drenasit si të prekura nga vërshimet.

Komuna ka paralajmëruar qytetarët vazhdimisht të mos preken rrjedhat e natyrshme të ujit nga ndërtimet apo shtimin e sipërfaqeve të tokës duke mbuluar kanalet apo duke hedhur mbeturina në to.

Komuna kërkon bashkëpunim në evidentimin e këtyre ndërhyrjeve për të lehtësuar mundësinë e ndërhyrjes për të liruar këto rrjedha të cilat mund të rrezikojnë shtëpitë, pronat e qytetarëve dhe objektet me rëndësi publike.

Për ndërhyrjet e paligjshme të cilat kanë bllokuar këto rrjedha të natyrshme të ujit, zyrtarët do të ndërmarrin masa për t’i tejkaluar ato si dhe veprimet ligjore ndaj shkaktarëve të këtyre ndërhyrjeve me pasojë për pronën private dhe publike.

Komuna e Drenasit u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin daljet e panevojshme, të zgjedhin rrugë dhe zona alternative aty ku është e mundur, si dhe të shmangin zonat e prekura nga vërshimet deri në përmirësimin e situatës.

/Motilokal.com