Gjatë festës së Vitit të Ri, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është trajtuar një numër i madh pacientësh të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, kryesisht petardave.
Sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë. Lëndimet më të shpeshta kanë qenë në duar, veçanërisht në gishta, ku në disa raste janë regjistruar amputime të pjesshme apo të plota, si dhe dëmtime serioze të tendinave që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionin e dorës.
Po ashtu, mjekët kanë trajtuar edhe lëndime në regjionin e fytyrës, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mund të lënë pasoja estetike dhe funksionale afatgjata.
Aktualisht, gjashtë pacientë ndodhen të hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike për shkak të lëndimeve shumë të rënda të duarve dhe po marrin trajtim të mëtejmë mjekësor.
Nga kjo klinikë bëhet e ditur se këto lëndime shpesh sjellin pasoja të përhershme funksionale dhe psikologjike, kërkojnë ndërhyrje të shumta kirurgjikale dhe rehabilitim afatgjatë.
Klinika e Kirurgjisë Plastike u bën thirrje prindërve, kujdestarëve dhe institucioneve përgjegjëse që të rrisin kontrollin dhe ndërgjegjësimin për rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike, veçanërisht nga fëmijët.
/Motilokal.com
