Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj gripit sezonal, duke theksuar se bëhet fjalë për një sëmundje akute infektive që mund të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore.
Sipas IKSHPK-së, gripi sezonal është veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Instituti thekson se vaksinimi kundër gripit mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për të ulur rrezikun e infektimit dhe për të parandaluar përhapjen e virusit.
Në kuadër të masave parandaluese, IKSHPK u rekomandon qytetarëve të respektojnë disa këshilla bazë për mbrojtje nga gripi sezonal.
Duart duhet të lahen shpesh me ujë dhe sapun. Goja dhe hunda duhet të mbulohen gjatë kollitjes ose teshtitjes. Duhet shmangur kontakti i ngushtë me persona që shfaqin simptoma të gripit. Qytetarët këshillohen të qëndrojnë në shtëpi nëse ndihen të sëmurë. Po ashtu, rekomandohet ushqyerje e shëndetshme dhe konsumim i mjaftueshëm i lëngjeve.
IKSHPK rithekson se vaksinimi vjetor kundër gripit sezonal është një nga masat kryesore për mbrojtjen e shëndetit individual dhe publik.
/Motilokal.com
