Studiuesit kanë zbuluar një ngjashmëri interesante në dy nga tërmetet më të mëdhenj të fundit në Japoni dhe Kili: një lëvizje e çuditshme në shkallë të gjerë tokësore para dhe pas që çojnë deri në tërmet.
Këto tërmete janë ndër 10 më të fuqishmet të matura ndonjëherë.
Tërmeti Tohoku-oki i vitit 2011 në brigjet japoneze me fuqi 9.0 ballë sipas shkallës Richter ishte tërmeti i katërt më i fortë në 100 vitet e fundit. Ai shkaktoi edhe një cunami shkatërrues, prej të cilit vdiqën më shumë se 15.500 vetë dhe u shkatërrua edhe termocentrali Fukushima. Kurse tërmeti i vitit 2010 në brigjet e rajonit Maule në Kili renditet i gjashti në këtë listë.
Studiuesit e Qendrës për Studime Sizmiologjike në Pocdam (GFZ), së bashku me kolegë nga Kili dhe SHBA, kanë konstatuar ngjashmëri të habitshme mes dy tërmeteve. Disa muaj para tërmetit kanë ndodhur lëvizje dhe zhvendosje të çuditshme dhe të shumëfishta toke – fjala është për lëvizje jashtëzakonisht të ngadalta të pllakës kontinentale.
Spostim i stacioneve satelitorë tokësorë
Autori kryesor, gjeofizikanti Jonathan Bedford, së bashku me një ekip gjeodezistësh, gjeologësh dhe sizmologësh, vlerësuan lëvizjet e stacioneve nëntokësore të Sistemit Global të Navigimit Satelitor (GNSS).
Këto stacione tokësore shërbejnë për të regjistruar sa më saktë që të jetë e mundur pozicionin e satelitëve që rrethojnë tokën në një orbitë eliptike. Por procesi i matjes mund të përdoret si masë reference për pozicionin e stacioneve tokësore, dhe kjo mund të përcaktohet me një saktësi mahnitëse prej disa milimetrash, thotë në një intervistë me Deutsche Wellen gjeofizikanti Jonathan Bedford.
Në Japoni, ekziston një rrjet shumë i dendur i stacioneve tokësore. Megjithëse rrjeti në Kili nuk ishte aq i dendur në vitin 2010, ishte e mjaftueshme për të marrë të dhënat.
Bedford dhe kolegët e tij analizuan se si stacionet tokësore në Japoni dhe Kili kishin lëvizur në pesë vjet para dy tërmeteve. Ata vunë re se lëvizja e pllakës kontinentale në të cilën ndodhen stacionet ishte kthyer mbrapsht disa herë në pesë muajt e fundit para tërmetit (në rastin e Japonisë) dhe shtatë muaj (në rastin e Kilit). Studiuesit publikuan rezultatet e tyre në revistën shkencore Nature.
Pllakat tektonike lëkunden para tërmeteve të mëdhenj
Në kufijtë e pllakave, pra atyre oqeanike dhe atyre kontinentale ndodhin lëvizje dhe pllakat oqeanike rrëshqasin nën pllakat kontinentale, krijojne hendekë nënujorë dhe shkaktojnë lëkundje. Lëvizjet e shkaktuara në kufijtë e pllakave nuk janë shumë të dukshme: ato shkojnë vetëm katër deri tetë milimetra, thotë Bedford. Por ato janë akoma më domethënëse, sepse shpejtësia relative e lëvizjes së vetë pllakave është vetëm disa centimetra në vit dhe zona ku studiuesit e vëzhguan fenomenin ka një shtrihej prej mijëra kilometrash përgjatë kufijve të pllakave.
Jo të përshtatshme si sistem paralajmërimi i hershëm
Deri tani sizmologët mund të thonë me siguri se në këtë apo atë rajon të caktuar të botës tërmetet janë më të mundshme që të ndodhin. Po ata nuk mund të thonë saktësisht se, kur do të ndodhin këto tërmete.
A mundet pra një lëvizje e vëzhguar jo-tipike e pllakave të na japë një paralajmërim më të mirë për një tërmet të afërt? Jo në të vërtetë.
"Nuk do të ishte e mençur që një gjeofizikant të lëshojë një paralajmërim të tillë", është përgjigjja e Bedford. "Sinjalet e vëzhguara të këtij studimi nuk janë domosdoshmërisht lëvizje pararendëse të një tërmeti të madh."
Më shumë hulumtime janë të nevojshme dhe si çështje parimore, njerëzit që banojnë në zona të njohura për tërmete duhet të llogarisin gjithmonë se mund të bien të tillë - madje edhe tërmete të rënda.
"Publiku i gjerë duhet të jetë i përgatitur në çdo kohë", paralajmëron Bedford./Motilokal.com
