GGK: 2025, vit i rëndë nga zjarret në Evropë dhe Kosovë

GGK: 2025, vit i rëndë nga zjarret në Evropë dhe Kosovë

Viti 2025 po mbyllet si një nga vitet më sfiduese sa i përket zjarreve, si në Evropë ashtu edhe në Kosovë. Sipas të dhënave evropiane, mbi një milion hektarë tokë janë djegur në gjithë kontinentin, duke e renditur këtë vit ndër më shkatërruesit e viteve të fundit.

As Kosova nuk mbeti jashtë kësaj situate. Sipas të dhënave të monitorimit të realizuar nga GIS Group of Kosovo (GGK), nën koordinimin e Leutrim Krasniqit, me datë 22.12.2025, gjendja në vend paraqitet shqetësuese.

Gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 324 raste zjarresh në mbarë territorin e Kosovës. Si pasojë, rreth 19 mijë e 600 hektarë sipërfaqe janë djegur, duke shkaktuar dëme të mëdha në ekosisteme, pyje dhe zona rurale.

Zonat më të prekura kanë qenë veriu i vendit, veçanërisht Leposaviqi, si dhe zonat qendrore dhe lindore, përfshirë rajonet e Gjilanit dhe Ferizajt.

Sipas analizës së GGK-së, të përgatitur nga Leutrim Krasniqi, valët e të nxehtit ekstrem gjatë verës, të kombinuara me tharjen e bimësisë, krijuan kushte ideale për përhapjen e shpejtë të zjarreve.

Ky vit dëshmon se ndryshimet klimatike janë tashmë një realitet i prekshëm, që kërkon monitorim të vazhdueshëm, reagim institucional dhe masa konkrete parandaluese.


/Motilokal.com