Kujdes në male gjatë dimrit, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor apelon për bjeshkatarët

Kujdes në male gjatë dimrit, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor apelon për bjeshkatarët

Në prag të sezonit dimëror, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës u drejtohet të gjithë atyre që frekuentojnë malet me një thirrje për kujdes të shtuar. Dimri e bën natyrën më të bukur, por edhe më të rrezikshme. Kushtet atmosferike, bora dhe terreni i vështirë mund të ndryshojnë brenda pak minutash, prandaj çdo aktivitet malor kërkon përgatitje serioze, pajisje adekuate dhe përgjegjësi personale. Ky paralajmërim synon të rikujtojë rreziqet kryesore dhe masat bazë të sigurisë që nuk duhet të anashkalohen nga askush.

PARALAJMËRIM

Rreziqet gjatë aktiviteteve malore në stinën dimërore

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) u bën thirrje të gjithë bjeshkatarëve, alpinistëve, skiatorëve dhe dashamirëve të aktiviteteve malore që gjatë sezonit dimëror të tregojnë kujdes të shtuar, pasi kushtet në male mund të ndryshojnë shpejt dhe rreziqet janë të larta.

Përpara dhe gjatë çdo aktiviteti dimëror, ju lutemi respektoni këto udhëzime thelbësore:

Planifikimi i aktivitetit

Planifikoni me kujdes itinerarin e aktivitetit dhe kohëzgjatjen e tij.

Informoni persona të tjerë për destinacionin dhe orarin e kthimit.

Vlerësimi i rrezikut

Analizoni terrenin, pjerrësinë, ekspozimin dhe rrezikun nga ortekët.

Mos nënvlerësoni kushtet vetëm për shkak të përvojës personale.

Kontrolli i motit

Kontrolloni parashikimin e motit përpara nisjes dhe ndiqni ndryshimet gjatë aktivitetit.

Kujdes i veçantë ndaj erërave të forta, reshjeve intensive dhe temperaturave ekstreme.

Veshmbathja dimërore

Përdorni veshmbathje adekuate dimërore, rezistente ndaj të ftohtit, erës dhe lagështisë.

Respektoni parimin e shtresëzimit të veshjes.

Orientimi dhe navigimi

Përdorni GPS, harta, busull dhe pajisje të tjera për orientim.

Mos u mbështetni vetëm në kujtesë apo shenja natyrore.

Komunikimi dhe energjia

Sigurohuni që telefoni të ketë bateri të mjaftueshme.

Mbani me vete bateri rezervë ose power bank.

Kini parasysh se mbulueshmëria me rrjet telefonik në zona malore mund të jetë e kufizuar.

Pajisjet teknike dimërore

Në varësi të aktivitetit dhe terrenit, përdorni pajisje teknike si:

Kazma dhe kthetra

Helmetë

Shalure, litarë, spiranca për borë dhe vidha akulli (kur janë të nevojshme)

Rreziku nga ortekët – KUJDES I SHTUAR

Në terrene të mbuluara me borë, është detyrim moral dhe sigurie të respektohen standardet ndërkombëtare:

Çdo person duhet të posedojë pajisjet e vetë-sigurisë për ortek: A (transmetuesit), B (sondë), C (lopatë).

Ndihma e parë

Mbani gjithmonë me vete çantën e ndihmës së parë, të kompletuar me mjetet bazë për emergjencë.

Trajnimi dhe përvoja

Të gjitha pajisjet e lartpërmendura duhet të përdoren vetëm nëse jeni të trajnuar dhe keni përvojë të mjaftueshme.

Përdorimi i gabuar i pajisjeve mund të rrisë rrezikun për aksidente serioze.

Aktivitetet e organizuara

Nëse bashkoheni me grupe apo shoqata bjeshkatare, sigurohuni që shoqata të jetë anëtare e FBNSK dhe që udhëheqësi të jetë i trajnuar me standarde te UIAA dhe i kualifikuar si udhëheqës malor.

Nëse aktiviteti organizohet nga kompani komerciale, udhëheqësi duhet të ketë kualifikime ndërkombëtare sipas standardeve UIMLA ose IFMGA.

KUJDES!

Udhëheqja malore është profesion dhe bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë morale dhe penale.

Mos e rrezikoni jetën tuaj dhe të të tjerëve duke anashkaluar standardet e sigurisë.

Siguria në male fillon me përgjegjësinë personale.

/Motilokal.com