Sipas të dhënave në kohë reale të publikuara nga IQAir, kompani zvicerane që monitoron cilësinë e ajrit në mbarë botën, Shkupi dhe Sarajeva janë mes qyteteve të mëdha me ajrin më të ndotur globalisht.
Sarajeva renditet e dyta në botë për ndotjen e ajrit, me përqendrime shumë të larta të grimcave PM2.5, të cilat paraqesin rrezik serioz për shëndetin. Para saj në këtë listë është vetëm Lahore në Pakistan. Kjo e vendos kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës në një situatë alarmante.
Edhe Shkupi shfaqet lart në renditje, në vendin e 19 në nivel botëror. Para tij janë Kolkota dhe Delhi në Indi, qytete të njohura për problemet e vazhdueshme me ndotjen e ajrit.
Këto matje tregojnë se niveli i ndotjes në të dy qytetet tejkalon dukshëm kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sidomos sa i përket PM2.5, grimca që lidhen drejtpërdrejt me sëmundje të frymëmarrjes dhe të zemrës.
Ekspertët theksojnë se ndotja e lartë vjen nga përdorimi i qymyrit dhe lëndëve djegëse me cilësi të ulët, qarkullimi i madh i automjeteve të vjetra, mungesa e kontrolleve efektive në industri dhe kushtet gjeografike që pengojnë qarkullimin e ajrit, duke bërë që ndotja të mbetet e bllokuar mbi zonat urbane.
/Motilokal.com
