Një shpend i zhdukur po rikthehet në Shqipëri

Një shpend i zhdukur po rikthehet në Shqipëri

Më 8 dhjetor 2025 është raportuar një zhvillim i rëndësishëm për biodiversitetin në Shqipëri. Në “Regjistrin Elektronik të Specieve Shqiptare” janë shënuar dy individë të dyshuar të shqiponjës së detit (Haliaeetus albicilla) në territorin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Vrojtimi është realizuar nga Steffen Tanzer dhe shoqërohet me një fotografi, e cila ndonëse nuk ka cilësi të lartë, ka tërhequr vëmendjen e njohësve të faunës. Analizat e bëra nga ornitologë dhe dashamirë të shpendëve tregojnë se tipare si sqepi i madh dhe i fuqishëm, si dhe ngjyrimet në tone blu, karakteristike për individët e rinj të këtij lloji, e bëjnë shumë të mundshme që bëhet fjalë për shqiponjën e detit.

Të dhënat historike dëshmojnë se kjo specie ka qenë e pranishme në Shqipëri që nga gjysma e parë e shekullit XIX dhe dikur konsiderohej e zakonshme përgjatë bregdetit. Në fillim të shekullit XX vihet re një rënie e numrit të saj, por jo zhdukje, me praninë e raportuar në zona si Liqeni i Maliqit, Prespa, Shkodra, Butrinti dhe territore të tjera bregdetare e malore.

Sipas burimeve historike, shqiponja e detit ka folezuar në Shqipëri deri në vitet ’80. Çifti i fundit i njohur ka qenë pikërisht në zonën e Divjakë-Karavastas, ndërsa vrojtimi i fundit i konfirmuar besohet të ketë ndodhur rreth 25 vjet më parë.

Ky raportim i ri po shihet si një sinjal shprese për rikthimin e shqiponjës së detit në vend. Kjo shpresë forcohet edhe më shumë nga fakti se numri i çifteve folezuese në vendet e rajonit është në rritje dhe se për këtë specie po zhvillohen masa serioze mbrojtëse.

Ekspertët vlerësojnë se rritja e popullatës në rajon rrit gjasat që shqiponja e detit të rikthehet sërish si folezues i qëndrueshëm në Shqipëri. Një zhvillim i tillë do të ishte një lajm shumë i mirë për natyrën dhe trashëgiminë natyrore të vendit.


/Motilokal.com