FIFA ka hedhur një hap që ka ndezur debat kudo. Nga Kupa e Botës 2026, ndeshjet do të kenë pushime të detyrueshme tre-minutëshe në mes të çdo pjese. Praktikisht loja do të ndahet në katër pjesë, një format që i ngjan më shumë sporteve amerikane sesa futbollit klasik.
Zyrtarisht thuhet se gjithçka bëhet për shëndetin e lojtarëve. Por reagimet tregojnë krejt tjetër atmosferë. Tifozët dhe shumica e mediave të mëdha janë të bindura se qëllimi është krijimi i hapësirës për reklama dhe një “amerikanizim” të mëtejmë të futbollit. Edhe fakti që vendimi u komunikua në një takim me kompanitë televizive vetëm sa e ushqen dyshimin.
Sipas detajeve të publikuara, pushimet do të vendosen rreth minutës së 23-të të secilës pjesë, pa marrë parasysh temperaturën ose kushtet e stadiumit. Nuk është si "pushimet e freskimit" që përdorëshin më parë. Këto janë të detyrueshme dhe vlejnë për të gjitha ndeshjet.
Si arsye tjetër përmenden ankesat e lojtarëve nga Kupa e Botës për Klube, por pak kush e merr seriozisht këtë shpjegim. Në të njëjtën kohë, presidenti Gianni Infantino flet hapur për një “shfaqje” në pjesën e parë, të stilit Super Bowl, çka vetëm sa e forcon bindjen se fokusi është tek tregu.
Ky ndryshim nuk prek vetëm anën komerciale. Ai ndikon drejtpërdrejt në lojë. Pushimet e reja u japin trajnerëve dy momente shtesë për ndërhyrje taktike. Kjo mund ta ndryshojë ritmin, qasjen psikologjike dhe dinamikën e ndeshjeve, duke e afruar futbollin me basketbollin ose NFL-në, ku ndërprerjet janë pjesë e vetë strategjisë.
Për shumëkënd, kjo është një pikë kthese. Kupa e Botës 2026 nuk do të jetë vetëm turneu i parë me 48 përfaqësuese. Do të jetë edhe një provë e madhe që mund ta shtyjë futbollin drejt një epoke të re, ndoshta më komerciale dhe më pak të natyrshme për atë që jemi mësuar të shohim.
/Motilokal.com
