Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga Parku Drilon-Tushemisht, ku ka përfunduar Qendra e re e Vizitorëve. Ai tha se ky është një element që plotëson mozaikun e bukurive dhe atraksioneve që e bëjnë këtë kompleks natyror e turistik një nga pikat më të veçanta në juglindje të vendit.
Në postimin e tij, Rama kujtoi se projekti i parkut është përzgjedhur mes tetë finalistëve të Bienales Ndërkombëtare të Peizazhit në Barcelonë, një prej ngjarjeve më prestigjioze në botë në fushën e arkitekturës së peizazhit. Drilon-Tushemisht doli në mesin e më të mirëve nga 230 projekte të paraqitura nga 20 vende.
Projekti “Drilon-Tushemisht Waterscape Park” është zhvilluar nga Ministria e Mjedisit dhe AADF. Restaurimi i qendrës së re të vizitorëve dhe puna për zbatimin e Biosferës së Prespës janë investime që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë dhe turizmin e zonës.
Ky projekt shihet si një model i restaurimit ekologjik, rikthimit të habitateve dhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm. Ai kontribuon në rritjen e imazhit të Shqipërisë dhe në promovimin e natyrës si një pasuri që ia vlen të zbulohet.
/Motilokal.com
