Shpikja e profesor Arbnor Pajaziti, ventilatori mekanik, merr patentë

Shpikja e profesor Arbnor Pajaziti, ventilatori mekanik, merr patentë

Agjencia për Pronësi Industriale e Republikës së Kosovës ka miratuar dhe regjistruar patentën “Ventilatori Mekanik me Lidhje Rivepruese të Rregullimit”, një shpikje e profesor Arbnor Pajaziti nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës.

Ky ventilator inovativ ofron kontroll të avancuar të procesit të ventilimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm teknologjik, duke ndërthurur mekatronikën, mjekësinë dhe industrinë. Pajisja mund të përdoret në ambiente ku kërkohet monitorim dhe rregullim i saktë i ventilimit mekanik.

Në zhvillimin e tij ka kontribuar edhe inxhinieri Petrit Abdyli, i diplomuar në nivelin master në të njëjtin fakultet. Aplikimi për patentë u bë në shkurt të vitit 2024, ndërsa ajo do të jetë e vlefshme deri më 2 shkurt 2044.

Ideja për ndërtimin e këtij ventilatori mekanik u zhvillua gjatë pandemisë së Covid-19, kur kishte mungesë globale të pajisjeve mjekësore për frymëmarrje të asistuar. Projekti u financua nga Bashkimi Evropian dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës, në një periudhë kur mësimi zhvillohej online dhe rritja e kapaciteteve teknologjike ishte thelbësore.

Patenta e re dëshmon se Universiteti i Prishtinës dhe njësitë e tij akademike janë në hap me zhvillimet moderne teknologjike dhe po kontribuojnë me projekte konkrete në inovacionin shkencor. Shpikja e profesor Pajazitit konsiderohet një prej arritjeve më të rëndësishme të vitit 2024 në fushën e inxhinierisë dhe teknologjisë në Kosovë.

/Motilokal.com