EcoZ dhe Save the Children Kosova/o kanë zhvilluar një marsh simbolik në kuadër të fushatës “Ajri jonë, jo i KEK-ut”. Aktiviteti mbajti moton “Ecim së bashku me fëmijët për ajër të pastër” dhe synoi të theksojë të drejtën e fëmijëve për të marrë frymë pa ndotje.
Dhjetëra fëmijë u bashkuan në ecjen drejt Termocentralit Kosova A, duke kërkuar ulje të ndotjes së ajrit, edukim më të gjerë mjedisor në shkolla dhe më shumë kujdes për shëndetin e brezave të rinj. Gjatë marshit u dha mesazhi se komuniteti duhet të reagojë për të mbrojtur mjedisin dhe jetën e të vegjëlve.
Organizatorët theksuan se kjo nismë nuk është thjesht një ecje, por një thirrje e qartë për ndërgjegjësim. Sipas tyre, fëmijët janë ndër më të prekurit nga ndotja dhe kërkesat e tyre duhet të merren seriozisht.
Marshi përfundoi me apel për veprime urgjente, në mënyrë që çdo fëmijë të ketë të garantuar ajër të pastër dhe një të ardhme të shëndetshme.
/Motilokal.com
