Në Kroaci po konsiderohet mundësia e ngritjes së një padie kundër Shqipërisë për shkak të mbeturinave që kohët e fundit u transferuan në det drejt brigjeve të Dubrovnikut. Sipas mediave kroate, kjo çështje u diskutua gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak të qytetit bregdetar nga këshilltarja dhe avokatja Viktorija Knežević.
“Pas një vlerësimi të plotë, teorikisht mund të veprojmë, por praktikisht është shumë e vështirë të kemi sukses. Kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga ideja, nëse asgjë tjetër nuk funksionon. Pyetja kryesore tani është se çfarë mund të bëjmë për të parandaluar përsëritjen e këtij fenomeni në plazhet tona“, tha Knežević.
Ajo theksoi se Konventa e Barcelonës detyron të gjitha vendet mesdhetare, përfshirë Shqipërinë, të marrin masa për të reduktuar mbeturinat që përfundojnë në det. Kroacia mund të propozojë gjithashtu që Adriatiku jugor të shpallet zonë prioritare për këtë çështje.
“Shqipëria është në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, gjë që i jep Kroacisë një mjet të fortë për të kërkuar rezultate konkrete në mbrojtjen e Adriatikut. Ekziston një projekt kroato-shqiptar me UNDP-në që mund të zgjerohet për të përfshirë grykëderdhjet e lumenjve dhe vendgrumbullimet problematike të mbetjeve“, shtoi Knežević.
Sipas saj, mbeturinat e dukshme në plazhe përbëjnë vetëm rreth 20% të totalit, ndërsa 80% e mbetjeve përfundon në shtratin e detit.
“Mbeturinat që shohim janë vetëm maja e ajsbergut. Barrën e vërtetë e bart deti, duke ndikuar në ekosistemin detar, peshkatarët, turizmin dhe shëndetin e detit“, tha ajo.
Knežević theksoi se ekzistojnë modele bashkëpunimi që kanë funksionuar në Detin Baltik, ku vendet fqinj arritën të reduktonin ndjeshëm mbeturinat në bregdet përmes planeve të përbashkëta veprimi.
/Motilokal.com
