Alpet shqiptare janë një thesar natyror që të fton në çdo stinë, por dimri u jep atyre një magji krejt tjetër. Borë e bardhë mbi maja që duken sikur prekin qiellin dhe heshtje e ëmbël që të mbush me qetësi sa herë që i sheh.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot disa pamje nga këto zona, që në ditët e para të dhjetorit janë zbardhur tërësisht dhe presin të pasionuarit pas alpinizmit të nisin aventurën.
Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” shtrihet në një territor të jashtëzakonshëm, ku natyra ka lënë vërtet shenjën e saj. Relievi i thyer malor, luginat me ujëra të kristalta, grykat që të shtyjnë të ecësh edhe më tej, dhe bimësia e pasur krijojnë një mozaik që nuk të lodh kurrë.
Lumenjtë Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça dhe liqenet akullnajore si ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit e Sylbicës pasqyrojnë madhështinë e këtyre maleve dhe i japin çdo vizite një emocion të ri. Çdo hap që bën këtu është një përzierje e qetësisë me adrenalinën.
Maja si Radohina, Maja e Hekurave, Arapi apo Shkëlzeni sjellin panoramë të paharrueshme. Secila prej tyre të tundon të ngjitesh edhe më lart, vetëm për të parë se çfarë bukurie të pret pas kthesës tjetër.
/Motilokal.com
