IKSHPK: Uji i Badovcit i sigurt për pije, ulen ndjeshëm vlerat e manganit

IKSHPK: Uji i Badovcit i sigurt për pije, ulen ndjeshëm vlerat e manganit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03, që mbulohet nga Ujësjellësi i Badovcit, është vërejtur një ulje e dukshme e vlerave të manganit.

Sipas rezultateve të analizave laboratorike të kryera gjatë tri ditëve të fundit në Laboratorin e parametrave bazik dhe në Laboratorin analitik, ICPMS, përqendrimet më të larta të manganit kanë variuar nga 0.012 mg/l deri në 0.037 mg/l. Të gjitha këto vlera rezultojnë brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 10/2021 “Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.

Duke u bazuar në këto rezultate, IKSHPK konfirmon se uji i pijshëm në zonën PR03 nga Liqeni i Badovcit është i sigurt për pije.

Instituti thekson se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke siguruar transparencë dhe informim të drejtë për qytetarët.


/Motilokal.com