AUV: Peshku në tregun e Kosovës nuk paraqet rrezik për shëndetin

AUV: Peshku në tregun e Kosovës nuk paraqet rrezik për shëndetin

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar përmes një komunikate se peshku që gjendet aktualisht në tregun e Kosovës është i sigurt për konsum dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.

Sipas AUV-së, ngarkesat me peshk që importohen nga SHBA, Kanadaja, Spanja, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut hyjnë në Kosovë të ngrira në temperatura më të ulëta se -18°C dhe të pajisura me certifikata shëndetësore nga autoritetet përkatëse të vendeve eksportuese. Ndër të tjera, theksohet se lloji i peshkut Merluc, i pranishëm në treg, nuk shitet si produkt i freskët apo i shkrirë.

“Bazuar në vlerësimet shkencore të BE-së dhe në legjislacionin e Republikës së Kosovës (Rregullorja Nr. 12/2011), produktet e papërpunuara të peshkut duhet të trajtohen në mënyrë të përshtatshme për të eliminuar parazitët që mund të rrezikojnë shëndetin e konsumatorit. Metodat e rekomanduara përfshijnë ngrirjen në temperatura -18°C për një periudhë të caktuar ose trajtimin termik mbi 60°C, duke u bazuar në llojin e parazitit dhe trashësinë e produktit”, thuhet në njoftim.

Një komision i pavarur i AUV-së, duke marrë parasysh praktikat evropiane, ka vendosur për asgjësimin e sasive të peshkut të identifikuara me rrezik, në mënyrë që të garantohet siguria ushqimore dhe të mbrohet shëndeti publik.

Në këtë drejtim, AUV njofton se ekziston edhe një vendim i Gjykatës Komerciale në Prishtinë – Dhoma e shkallës së dytë, sipas Aktvendimit Nr. 2025:134825 të datës 12.09.2025. Në përputhje me këtë vendim, Agjencia, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është duke bërë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk.

Ky proces, siç thekson AUV, është thelbësor për garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve, për mbrojtjen e shëndetit publik dhe për ruajtjen e integritetit të tregut ushqimor në Kosovë.

/Motilokal.com