Uji i liqenit të Badovcit, edhe pse ka tejkaluar kufirin e lejuar të manganit sipas standardeve të reja evropiane, nuk paraqet rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve, thotë eksperti i mjedisit, Sami Makolli.
Makolli theksoi se mangani nuk është një fenomen i ri në Kosovë dhe se për dekada me radhë uji është konsumuar pa shqetësime të tilla. “Me udhëzimin administrativ të fundit, që reflekton standardet e BE-së, kufiri i pranueshëm është vendosur në 0.05 mg/L. Kjo është një vlerë estetike dhe jo toksikologjike”, tha ai.
Sipas tij, krahas standardit të BE-së, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon kufirin prej 0.08 mg/L, ndërsa në Shtetet e Bashkuara kufiri shëndetësor është edhe më i lartë deri në 0.3 mg/L për ekspozim gjatë gjithë jetës. “Pra, standardet janë të ndryshme, por niveli i raportuar në Kosovë është shumë më i ulët se ai që mund të shkaktojë pasoja për shëndetin”, shtoi ai.
Makolli theksoi se mangani nuk duhet parë si helm, por si një element i domosdoshëm për trupin e njeriut, i cili merret kryesisht nga ushqimi mesatarisht rreth 3 mg në ditë përmes drithërave, frutave, arrave apo çajit. “Një gotë ujë me 0.08 mg/L përmban vetëm rreth 0.02 mg mangan, që është sasi minimale krahasuar me atë që marrim çdo ditë nga ushqimi”, sqaroi eksperti.
Ai rekomandoi që qytetarët të vazhdojnë ta përdorin ujin për larje dhe përdorim të përditshëm, duke e konsumuar me masë, por me kujdes të shtuar për foshnjat. Ndërkohë, kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të japin sqarime profesionale e të sakta mbi nivelin e manganit, e jo deklarata të përgjithshme që, sipas tij, vetëm rrisin pasigurinë te qytetarët.
/Motilokal.com
