Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka raportuar se gjatë monitorimit të cilësisë së ujit të pijshëm, më 1 shtator 2025, është vërejtur një rritje e përqendrimit të manganit në mostrat e ujit në zonën e furnizuar nga liqeni akumulues i Badovcit.
Analizat laboratorike të fundit tregojnë se përqendrimi i manganit është në rritje si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Megjithatë, IKSHPK njofton se, edhe pse këto vlera tejkalojnë kufirin e përcaktuar në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 për cilësinë e ujit për konsum njerëzor, ato nuk kanë arritur nivelin që mund të ndikojë shëndetin e qytetarëve.
Për mbrojtjen e shëndetit publik, IKSHPK apelon që qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit e Liqenit të Badovcit të mos përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës. Instituti thekson se ndotja me mangan është kimike dhe vlimi i ujit nuk e eliminon këtë element. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtje të higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.
Për të garantuar cilësinë e furnizimit, IKSHPK ka intensifikuar monitorimin dhe bashkëpunimin me KRU “Prishtina” Sh.A. Ndërkohë, KRU “Prishtina” ka ndërmarrë masat e mëposhtme:
- Zvogëlimin e prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit;
- Intensifikimin e proceseve të shpërlarjes së rrjetit shpërndarës, duke përfshirë gypat magjistral dhe sekondar;
- Sigurimin e furnizimit të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura përmes autoboteve, sipas orarit të prezantuar nga kompania.
Qytetarët do të njoftohen për çdo zhvillim të ri lidhur me situatën e furnizimit me ujë dhe nivelin e manganit.
/Motilokal.com
