Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se, duke filluar nga 1 shtatori, zona operacionale e saj është shpallur nga KFOR-i si “Zonë e Ndaluar për Fluturime”, me theks të veçantë në ndalimin e përdorimit të dronëve. Ky vendim ka për qëllim garantimin e sigurisë së infrastrukturës kritike energjetike të Kosovës.
Në komunikatën e KEK-ut thuhet se, bazuar në Ligjin Nr. 06/L-014 për Infrastrukturën Kritike, objektet dhe asetet e saj kategorizohen si pjesë e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës, e cila përfaqëson bazën e furnizimit me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Për këtë arsye, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë i kushtojnë vëmendje të veçantë mbrojtjes së saj.
“KEK ka pranuar vendimin zyrtar të KFOR-it (Ref. Nr. BKPR:0736/25), përmes të cilit zona operacionale e KEK-ut shpallet Zonë e Ndaluar për Fluturime (“No Flight Zone”), me fokus të veçantë në ndalimin e sistemeve ajrore pa pilot (dronë)”, thuhet në njoftim.
KEK e cilëson këtë hap si dëshmi të angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e infrastrukturës energjetike të vendit, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare.
“KEK sh.a. shpreh mirënjohjen e thellë për rolin e KFOR-it në rritjen e sigurisë së objekteve të saj dhe falënderon të gjitha institucionet që kontribuojnë në këtë drejtim. Njëkohësisht, u bën thirrje qytetarëve të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj infrastrukture dhe të respektojnë plotësisht të gjitha masat ligjore dhe të sigurisë”, përfundon njoftimi.
/Motilokal.com
