Nga sot 16 deri më 22 shtator do të mbahet Java Evropiane e Lëvizshmërisë, gjatë së cilës do të ketë iniciativa të ndryshme në vend.
Qëllimi është të inkurajohet pjesëmarrja e komunave, shkollave, organizatave joqeveritare dhe biznesit në ngjarje për të arritur lëvizshmëri të qëndrueshme urbane, të cilat çojnë në reduktimin e ndotjes së ajrit, ndotjes akustike, bllokimeve, aksidenteve në trafik dhe problemeve shëndetësore. Theksi këtë vit është në hapësirën e përbashkët.
Hapësira e përbashkët publike sjell shumë përfitime për shoqërinë. Një vend ku njerëzit, mënyrat e transportit dhe aktivitetet kanë të gjithë hapësirën e tyre është një vend me më shumë barazi sociale, më shumë siguri rrugore, më pak zhurmë dhe ndotje të ajrit dhe një cilësi më të mirë jetese.
Java Evropiane E Lëvizshmërisë na fton të vendosim kolektivisht se si të ndajmë hapësirën tonë publike dhe të sigurohemi që të gjithë të lëvizin të sigurt dhe të qetë në një mjedis të këndshëm, veçanërisht këmbësorët dhe çiklistët.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, Komunat: Podujevë dhe Mitrovicë e Veriut, OJQ-të: “Marakli t’Biciklave”, “INDEP”, dhe “ESRA” do të shënojnë Javën Evropiane të Lëvizshmërisë 16-22 shtator dhe “Ditën Ndërkombëtare Pa Makina” më 22 shtator 2025 me aktivitete sipas agjendës.
/Motilokal.com
