Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë monitorimit të rregullt të cilësisë së ujit të pijshëm ka evidentuar ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën që furnizohet nga liqeni akumulues i Badovcit.
Sipas analizave të fundit laboratorike, përqendrimi i manganit po shënon rritje si në vetë liqenin, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Këto vlera e kanë tejkaluar kufirin e lejuar sipas Udhëzimit Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e ujit për konsum nga njeriu”, megjithëse deri më tani nuk kanë kaluar nivelin që konsiderohet rrezikshmëri për shëndetin e njeriut.
Për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, IKSHPK apelon që uji i Badovcit të mos përdoret për pije deri në një njoftim tjetër. Instituti thekson se ndotja me mangan është kimike dhe nuk mund të eliminohet përmes vlimit të ujit. Uji mund të shfrytëzohet vetëm për pastrim, higjienë personale dhe mirëmbajtjen e ambienteve.
IKSHPK ka rritur kontrollet e cilësisë së ujit dhe është duke bashkëpunuar ngushtë me KRU “Prishtina” Sh.A., e cila tashmë ka ndërmarrë disa masa emergjente, përfshirë:
- Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për ruajtjen e cilësisë së furnizimit;
- Intensifikimin e shpërlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë gypat magjistral dhe sekondar;
- Ofrimin e ujit të pijshëm përmes autoboteve për zonat e prekura, sipas një orari të caktuar që do të bëhet publik nga kompania.
Autoritetet shëndetësore dhe KRU “Prishtina” sigurojnë se po punojnë për rikthimin e furnizimit me ujë të pijshëm të sigurt për qytetarët.
/Motilokal.com
