Mbi një milion mjete në qarkullim në rrugët e Shqipërisë, rritje e fortë e veturave moderne

Mbi një milion mjete në qarkullim në rrugët e Shqipërisë, rritje e fortë e veturave moderne

Flota aktive e mjeteve në vend arriti në mbi 1 milion në fund të tetëmujorit të këtij viti, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 41,1% krahasuar me vitin 2020.

Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) tregojnë jo vetëm shtim të numrit të mjeteve, por edhe një orientim drejt përmirësimit cilësor. Ky trend pasqyron rritjen e interesit të qytetarëve për automjete më të sigurta, më efikase dhe të pajisura me teknologji moderne.

Vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025 janë regjistruar 66.521 mjete të reja, ose 113% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Pjesa dërrmuese e tyre i përket autoveturave, të cilat zënë 82,1% të totalit, duke konfirmuar orientimin drejt mjeteve personale dhe urbane.

Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se mbi 13 mijë prej mjeteve të regjistruara i përkasin gjeneratës më të re, të prodhuara brenda tre viteve të fundit. Ky segment ka shënuar një rritje prej 106% krahasuar me vitin 2020, duke treguar qartë modernizimin e flotës automobilistike në vend.

/Motilokal.com