Shqipëria në qendër të vëmendjes botërore me ministren e parë nga AI

Shqipëria në qendër të vëmendjes botërore me ministren e parë nga AI

Gazeta prestigjioze online POLITICO i ka kushtuar një artikull të veçantë zhvillimit unik në Shqipëri: vendi është bërë i pari në botë që emëron një ministre të krijuar nga Inteligjenca Artificiale (AI).

Ky njoftim u bë publik nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Tiranë. Krahas prezantimit të kabinetit të ri qeveritar, Rama zbuloi edhe emrin e ministres virtuale, Diella, një entitet “i koduar deri në pikselë” dhe i pajisur me avatar, e cila do të ketë përgjegjësi kryesore mbi prokurimet dhe menaxhimin e fondeve publike. Emri “Diella” rrjedh nga fjala “diell”.

Ky hap u paralajmërua që gjatë verës, kur Rama foli për vizionin e tij mbi një qeveri digjitale, madje edhe për mundësinë e një kryeministri AI. Megjithatë, pak kush priste që ideja të materializohej kaq shpejt.

Sipas POLITICO, kryeministri theksoi se Diella është “anëtarja e parë e kabinetit që nuk është fizikisht e pranishme, por e krijuar nga inteligjenca artificiale”. Ai sqaroi se procesi i tenderëve publikë do të kalojë përmes saj, me synimin që të bëhet “100 për qind i pakorruptueshëm” dhe “100 për qind i lexueshëm”.

“Kjo nuk është fantashkencë, por detyra e Diellës,” tha Rama, duke e cilësuar si një hap praktik drejt rritjes së transparencës.

Diella nuk është e panjohur për qytetarët shqiptarë. Ajo është tashmë pjesë e platformës e-Albania, ku u mundëson qytetarëve akses digjital në shumicën e shërbimeve shtetërore. Përmes avatarit të saj, një figurë e një gruaje të re me kostum tradicional shqiptar, ajo paraqitet si “shërbëtorja e prokurimit publik”, me rol në vlerësimin e ofertave dhe aftësinë për të “punësuar talente nga e gjithë bota”, duke kapërcyer kufizimet dhe paragjykimet e administratës klasike.

Artikulli i POLITICO nënvizon se kjo risi vjen në një kohë kur Shqipëria vazhdon të përballet me sfidën e korrupsionit, sidomos në administratë dhe prokurime publike, një problem i theksuar shpesh edhe nga Bashkimi Evropian.

Rama, i cili në maj 2025 fitoi mandatin e katërt historik, duket se po përpiqet ta përdorë teknologjinë si mjet për modernizimin e qeverisjes dhe për të afruar Shqipërinë me ambicien e saj kryesore: anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.

/Motilokal.com