Togg prezanton T10F dhe nis prenotimet për automjetin elektrik

Togg prezanton T10F dhe nis prenotimet për automjetin elektrik

Prodhuesi turk i automjeteve elektrike, Togg, do të hapë më 15 shtator porositë paraprake për modelin e tij të ri T10F në Turqi, ndërsa nga 29 shtatori ky model do të jetë i disponueshëm edhe në Gjermani.

Lajmi u bë i ditur nga zyrtarët e kompanisë gjatë një konference për media të hënën, pak para prezantimit zyrtar në IAA Mobility 2025, panairi më i madh i mobilitetit në botë, që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë.

Nga e marta, Mynihu pret vizitorë nga e gjithë bota në këtë ngjarje ku marrin pjesë prodhues të automjeteve, kompani teknologjike, startup-e dhe pionierë të transportit të qëndrueshëm.

Në ditën e parë të panairit, Togg prezantoi gamën e saj inovative të produkteve dhe ekosistemin e mobilitetit, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Kompania bëri të ditur se dy modelet e saj, T10X dhe T10F, kanë marrë vlerësimin maksimal me pesë yje nga Euro NCAP, programi i pavarur evropian që teston sigurinë e automjeteve.

Kryetari i Bordit të Togg-ut, Fuat Tosyali, tha se zgjerimi në tregun evropian është një moment historik për kompaninë, pas suksesit të arritur në Turqi.

“Për herë të parë në histori, prodhimi i një makine me të gjitha të drejtat e pronësisë intelektuale që i përkasin Turqisë ishte vetvetiu një sfidë, nëse shohim historinë industriale të vendit tonë dhe ne ia dolëm. Falë Zotit nuk u dorëzuam. Edhe kur hasëm vështirësi, gjithmonë u përqendruam në gjetjen e zgjidhjeve dhe punuam fort”, tha ai.

Çmimet e modelit T10F në Turqi dhe Gjermani do të bëhen të ditura në ditën kur automjeti të dalë në shitje me porosi paraprake në të dy vendet.

/Motilokal.com